Franca “tepër e shqetësuar” nga serioziteti i situatës në Liban
Ministria e Evropës dhe Punëve të Jashtme e Francës ka thënë se ky shtet është tepër i shqetësuar nga serioziteti i situatës në Liban, në kufirin jugor të të cilit janë shpeshtuar sulmet mes Hezbollahut dhe forcave izraelite.
“Franca është tepër e shqetësuar nga serioziteti i situatës në Liban, përderisa dhuna në kufirin me Izraelin eskalon në mënyrë dramatike” – thuhet në një deklaratë të zëvendëszëdhënësit të Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme të enjten.
“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të ushtrojnë përmbajtje maksimale dhe ta zbatojnë Rezolutën 1701 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara” – thuhet më tej.
“Franca mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj parandalimit të çfarëdo rreziku të eskalimit në Vijën e Kaltër dhe promovimit të një zgjidhjeje diplomatike” – thuhet në fund të deklaratës.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, kishte thënë më herët gjatë një vizite në Uashington se ushtria e vendit të tij është e aftë që Libanin “ta kthejë në Epokën e Gurit” në çfarëdo lufte me militantët e Hezbollahut.