Franca e Spanja e mirëpresin rikthimin e mundshëm të Britanisë në BE
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, të mërkurën shprehën entuziazëm në lidhje me mundësinë që Britania e Madhe të rikthehet si anëtare e Bashkimit Evropian. Ata gjithashtu u pajtuan që Evropa duhet t’i fuqizojë masat mbrojtëse tregtare kundër Kinës.
Kryeministri britanik, Andy Burnham, e përmendi mundësinë e rikthimit të vendit të tij në BE në një intervistë më herët të mërkurën. Macroni e përshkroi këtë si “lajm të mrekullueshëm” dhe “vendim të mirë”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ne do t’i hapnim krahët [për Britaninë]” – tha kryeministri spanjoll.
Duke folur pas vizitës së parë shtetërore të Macronit në Spanjë, Sanchezi i përshkroi vendet fqinje si udhëheqëse të “rezistencës [së Evropës] ndaj armiqve të kontinentit tonë dhe modelit evropian”, kur të dyja vendet po përgatiten për zgjedhje vitin e ardhshëm, në të cilat e djathta ekstreme pritet të shënojë rritje domethënëse.
Dy udhëheqësit gjithashtu bënë thirrje për fleksibilitet më të madh në gjetjen e burimeve shtesë për bllokun para bisedimeve për buxhetin e BE-së në tetor. Sanchezi bëri apel për “pak më shumë empati” nga Brukseli për qeveritë që janë “në vijën e frontit duke u përpjekur që t’u përgjigjen shqetësimeve të qytetarëve”.
Spanja dhe Franca janë në mesin e një grupi shtetesh që po shqetësohen se presioni nga kontributdhënëset e mëdha në buxhetin e BE-së, si Gjermania e Holanda, për t’i pakësuar fondet për disa qindra miliarda euro do ta përkeqësonte pabarazinë dhe do t’i zvogëlonte fondet për bujqit, çështje kyçe në zgjedhje.