Franca dhe Ukraina nënshkruajnë nesër një marrëveshje sigurie në Paris
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, do të nënshkruajë të premten në Paris një marrëveshje sigurie me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, si pjesë e një udhëtimi që do të kalojë edhe nëpër Gjermani, thuhet në një deklaratë të Presidencës së Francës.
Në njoftim nuk jepen hollësi të saktësuara për marrëveshjen që do të nënshkruhet në pallatin “Elysee”, raporton agjencia “Associated Press”.
Macroni kishte thënë më herët këtë vit se Franca ishte në bisedime për një marrëveshje dypalëshe mbi modelin e një pakti për të cilin Ukraina u pajtua rishtazi me Mbretërinë e Bashkuar, që mbulon dhjetë vjet.
Kjo do të jetë vizita e tretë e Zelenskyt në Paris që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës para gati dy vjetëve, pas atyre në shkurt dhe maj të vitit 2023, thuhet në deklaratë.
Presidenca e Francës tha se kjo vizitë do të jetë një mundësi për Macronin që “ta ripohojë vendosmërinë e Francës për të vazhduar që të ofrojë përkrahje të palëkundur për Ukrainën dhe popullin ukrainas, në periudhë afatgjatë dhe me të gjithë partnerët e saj”.
Dy presidentët do të diskutojnë për gjendjen në vijën e frontit, ushtrinë ukrainase, nevojat ekonomike dhe humanitare, si dhe për bisedimet rreth përpjekjeve të Ukrainës për anëtarësim në BE, të cilin Franca e përkrah plotësisht, thuhet më tej në deklaratë.
Zyra presidenciale e Zelenskyt tha të enjten se Zelensky do ta vizitojë Gjermaninë, ku do të takohet me kancelarin Olaf Scholz, dhe Francën të premten.
Ai gjithashtu do të marrë pjesë në Konferencën e Mynihut për Sigurinë dhe do të zhvillojë takime dypalëshe me zyrtarë të ndryshëm, përfshirë nënpresidenten e ShBA-së, Kamala Harris, presidentin e Çekisë, Petr Pavel, kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen, dhe kryeministrin e Holandës, Mark Rutte.