Formimi i Qeverisë së re, Isufi: Ka komunikim në mes të partive opozitare
Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Ahmet Isufaj, ka bërë me dije se partitë opozitare kanë komunikim në lidhje me formimin e Qeverisë së re.
Ai ka thënë se nuk ka takime të nivelit për ndarjen e përgjegjësive, por ka zyrtarë të këtyre partive që mbajnë komunikim mes vete.
Në emisionin “Info Nata” të tëvë1, ai ka thënë se takimet do të intensifikohet pas certifikimit të rezultateve.
“Nuk ka pas takime të drejtpërdrejta, zyrtare që të ndahen përgjegjësitë qeverisëse, po që komunikim normalisht që ka, përmes njerëzve që janë në struktura udhëheqëse komunikojmë. Por nuk ka takim zyrtar për të ndarë përgjegjësitë, pasi ende nuk është bërë certifikimi i rezultateve”, është shprehur Isufi.
Ai ka përsëritur qëndrimin e AAK-së se kjo pari nuk e kushtëzon me asgjë formimin e Qeverisë së re.
“Ne e kemi theksuar se nuk jemi shumë të interesuar që me çdo kusht ta kemi kryeministrin, sepse ne duam një qeveri funksionale. Edhe z.Haradinaj e ka shpreh se nuk dëshiron të marrë përgjegjësi kryesor, vetëm nëse pajtohen partnerët politik, normalisht përgjegjësisë nuk i ka ikur dhe nuk i ikë, por nuk do të bëhemi pengesë e një koalicioni të opozitës që do të mund ta udhëhiqte vendin”, ka deklaruar ai.