Forcat izraelite vrasin katër militantë e një bujk në Gaza
Forcat izraelite të hënën vranë katër militantë në Rafah, në pjesën jugore të Gazës, kur ata dolën nga një tunel nëntokësor dhe hapën zjarr në drejtim të trupave, tha ushtria izraelite.
Ushtria e përshkroi sulmin ndaj trupave izraelite si shkelje të armëpushimit të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara me Hamasin, i cili hyri në fuqi në tetorin e vitit të kaluar, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Izraeli u është kundërpërgjigjur incidenteve të tilla muajve të fundit duke kryer sulme ajrore në pjesë të ndryshme të enklavës, me ç’rast janë vrarë dhjetëra njerëz.
Nuk pati koment të menjëhershëm nga Hamasi, por disa burime të afërta me grupin e identifikuan njërin nga të vrarët si Anas Annashar, i biri i një ish-politikani të lartë të Hamasit.
Dhjetëra luftëtarë të Hamasit kanë mbetur të ngujuar në tunele në Rafah që nga arritja e armëpushimit dhe disa prej tyre tashmë janë vrarë gjatë përleshjeve me forcat izraelite.
Në një incident tjetër, forcat izraelite qëlluan për vdekje një bujk palestinez në Deir Al-Balah, në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, sipas autoriteteve shëndetësore lokale. Izraeli nuk e komentoi menjëherë incidentin.
Të dyja palët e kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit, përderisa Uashingtoni po bën thirrje që të kalohet në fazat e ardhshme të marrëveshjes me të cilën synohet që t’i jepet fund konfliktit.