Forca Ajrore e ShBA-së thotë se ka testuar me sukses një armë hipersonike
Forca Ajrore e Shteteve të Bashkuara tha të martën se kishte kryer një test të suksesshëm të një arme hipersonike të hedhur nga ajri në Oqeanin Paqësor.
Testi u krye të dielën, pasi bombarduesi i tipit B-52 u nis nga ishulli Guam duke bartur një Armë Ajrore të Reagimit të Shpejtë (ARRW), thuhet në deklaratën e Forcës Ajrore, raporton agjencia “Reuters”.
Edhe pse Forca Ajrore e ShBA-së e quajti sukses testimin, ajo nuk e zbuloi shpejtësinë me të cilën fluturoi arma. Në testet e mëparshme, armët e tilla kanë fluturuar të paktën pesë herë më shpejt se shpejtësia e zërit.
Shtetet e Bashkuara nuk janë të vetme në zhvillimin e armëve hipersonike, shpejtësia dhe manovrimet e të cilave janë vështirë për t’u përcjellë dhe për t’u penguar.
Rusia ka hedhur raketa hipersonike në shënjestra në Ukrainë dhe Kina ka testuar armë hipersonike, sipas zyrtarëve ushtarakë amerikanë. Sidoqoftë, Ministria e Jashtme e Kinës mohoi në tetor se ky vend kishte kryer një test arme.