"Fitore e gazetarisë kundër korrupsionit", KMShK hedh poshtë ankesën e Yll Buleshkajt kundër Albanian Post
Gazetari Lirim Mehmetaj ka bërë të ditur se Këshilli i Mediave te Shkruara të Kosovës ka hedhur poshtë ankesën e Yll Buleshkajt, Drejtorit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, ndaj artikullit të Albanian Post, në lidhje me një raportim rreth një konkursi “të parregullt dhe korruptiv të cilin e fitoi gruaja e Buleshkajt.”
Mehmetaj tha se konkursi i parregullt për të cilin raportoi Albanian Post, tashmë është “anuluar dhe rikthyer nga fillimi.”
Absurditeti i krejt situatës, sipas Mehmetajt, është që “gruaja e drejtorit që udhëheqë agjencinë kundër korrupsionit fiton pozitë përmes një procesi korruptiv.”
Postimi i plotë:
Fitore e gazetarisë kundër korrupsionit
Këshilli i Mediave te Shkruara të Kosovës ka vendosur që ta hedh poshtë dhe të mos e miratojë ankesën e Yll Buleshkajt, Drejtorit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, kundër artikullit të Albanian Post.
Fjala ka qenë për raportimin për një konkurs të parregullt dhe korruptiv të cilin e fitoi gruaja e Buleshkajt.
Paramendojeni tash, gruaja e drejtorit që udhëheqë agjencinë kundër korrupsionit fiton pozitë përmes një procesi korruptiv.
Fatmirësisht, pas raportimit të Albanian Post, konkursi është anuluar dhe rikthyer nga fillimi.
Do ta monitorojmë sërish procesin, sepse tentativat korruptive me siguri se s’do të ndalen.
Në anën tjetër, zotëri Buleshkaj është bë muaji që kam raportu tek ju një super skandal në Ministrinë e HAJNruhllah Çekut.
Çka po ndodhë, pse s’kemi akoma përgjigje, faktet të gjitha i ke?