Fillon rrënimi i shtëpisë te rruga “A”, dje pronari e pengoi rrënimin
Komuna e Prishtinës e ka filluar sot rrënimi i shtëpisë te rruga “A”, e cila rrezikon të shembej.
Derisa pronari i kësaj shtëpie dje e kundërshtonte rrënimin duke u mbyllur brenda, sot eskavatoret kanë filluar punën.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, dje ka reaguar në lidhje me këtë çështje.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se këto shtëpi kanë qenë të ndërtuara pa leje në pronën komunale.
“Evakuimi i familjeve që banonin në këto objekte është bërë para 2 vitesh, për shkak të punimeve në “Rrugën A” dhe rrezikut të rrëshqitjes së dheut. Edhe pse këto objektet kanë qenë të ndërtuara pa leje në pronë komunale, Kryeqyteti ka paguar dhe vazhdon të paguaj shpenzimet e qirasë për familjet e evakuuara. Lusim personin në fjalë që të mos rrezikojë jetën e tij dhe të ekipeve tona duke hyrë në këtë zonë, e cila mbetet e rrezikshme për shkak të punimeve dhe është pronë komunale. Gjithashtu, pajtohem me personat publik që po prononcohen për këtë çështje duke thënë se “Prona është e shenjtë”. E tillë është edhe kjo pronë, pronë komunale, në pronësi të Komunës dhe si e tillë meriton të njëjtin respekt dhe mbrojtje sipas ligjit!”, ka shtuar dje Rama.