FIFA ia ndan Trumpit çmimin për paqe
Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të premten iu nda nga FIFA një çmim i ri për paqen me rastin e hedhjes së shortit për Kupën e Botës në futboll, që do të mbahet vitin e ardhshëm.
Trumpi, i cili në mënyrë të hapur kishte bërë fushatë për t’iu dhënë Çmimi Nobel për Paqe, ishte favorit i madh për çmimin e themeluar rishtazi nga shtëpia botërore e futbollit. Ai dhe presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, janë aleatë të ngushtë dhe Infantino ka bërë të qartë se ai mendon se Trumpi është dashur ta fitonte Nobelin për shkak të përpjekjeve të tij për ta ndërmjetësuar armëpushimin në Gaza, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Në një video prezantuese thuhet se “lidershipi i tij ka garantuar që paqja të ekzistojë mes Republikës Demokratike të Kongos e Ruandës, Kamboxhias e Tajlandës, Kosovës e Serbisë, Indisë e Pakistanit, Egjiptit e Etiopisë, Armenisë e Azerbajxhanit”.