FIFA e rrëzon apelin e Belgjikës për t’ia kthyer në fuqi pezullimin sulmuesit amerikan - NACIONALE

FIFA e rrëzon apelin e Belgjikës për t’ia kthyer në fuqi pezullimin sulmuesit amerikan

2 muaj më parë

nga NACIONALE

FIFA e ka hedhur poshtë apelin e Belgjikës rreth të drejtës së sulmuesit amerikan, Folarin Balogun, pasi shtëpia botërore e futbollit vendosi që ta shfuqizonte pezullimin e tij për një ndeshje para sfidës vendimtare të një të gjashtëmbëdhjetës së finales në Kupën e Botës, pikërisht kundër Belgjikës.

Edhe pse mori karton të kuq në lojën kundër Bosnjës, sulmuesi do të ketë të drejtë që të luajë të hënën kundër Belgjikës në Seattle, pas një ndërhyrjeje që i përfshiu presidentin amerikan, Donald Trump, zyrtarë qeveritarë, federatën amerikane të futbollit dhe një ekip të gjerë ligjor, raporton gazeta “The New York Times”.

Belgjika ishte ankuar zyrtarisht për vendimin, duke thënë se “nuk kishte alternativë pos ta sfidonte të drejtën [e lojtarit amerikan] për ndeshjen e radhës”.

Megjithatë, Komiteti i Apeleve i FIFA-s e ka cilësuar si “të papranueshme” kërkesën e dorëzuar nga Federata Mbretërore Belge e Futbollit (RBFA).

Balogun, ylli i sulmit amerikan me tri gola të shënuara deri më tani në Kupën e Botës, mori karton të kuq, pasi ia shkeli këmbën lojtarit të Bosnjës, Tarik Muharemoviq në fitoren e së mërkurës, duke u pezulluar automatikisht me një ndeshje moslojë.

FIFA njoftoi të dielën se kjo masë ishte shfuqizuar për rundin e një të gjashtëmbëdhjetës së finales, vendim i jashtëzakonshëm që u çmua nga Trumpi, por që e zemëroi ekipin belg. Duket se kjo është hera e parë që nga viti 1962 që një karton i kuq gjatë Kupës së Botës nuk rezulton në pezullim.

Lajme të ngjashme