Fevziu: Shqipëria duhet t’ia bëjë të qartë Malit të Zi se nuk mundet t’i trajtojë ashtu shqiptarët
Gazetari nga Shqipëria, Blendi Fevziu, ka reaguar pas publikimi të videos, në të cilën shihen policiët malazezë teksa e rrahin profesorin shqiptar, Petraq Milo.
Me anë të një postimi në Facebook, Fevziu ka thënë se një pamje e tillë është e papranushme edhe për vendet diktatoriale.
“Kjo video që u bë virale dhe që ndezi zemërimin e qytetarëve andej dhe këndej kufirit Shqipëri - Mal i Zi, duhet të vlejë për një reflektim shumë më të thellë. Jo thjeshtë për faktin se qytetari që dhunohet ështe një profesor i nderuar, një ndër njerëzit më korrektë dhe më të edukuar që kam njohur unë ndonjëherë, profesor Petraq Milo; jo për faktin se asnjë polici dhe asnjë person me uniformë në botë nuk mund të sillet kështu me askënd, kushdo qoftë përpara tij; jo për atë që një imazh i tillë është i papranueshëm edhe në vendet diktatoriale dhe ku të drejtat e njeriut thuajse nuk ekzistojnë, por për disa arsye më shumë”, ka shkruar Fevziu.
Më tutje, ai ka thënë se shkarkimi dhe arrestimi i policëve dhunues nuk mjaftojnë.
“E para shkarkimi dhe më pas arrestimi i policëve që kryen aktin, nuk mjafton. As arsyet e mosrespektimit të rradhës që ata kanë dhënë dhe që janë mohuar nga gjithë të pranishmit. Shteti shqiptar duhet të reagojë ashpër dhe të përdorë të gjitha instrumentat ndërkombëtare për një rast të tillë”, ka vazhduar ai.
Më pas drejtuesi i “Opinionit”, ka numëruar disa nga detyrimet e shtetit shqiptar pas dhunes ndaj profesorit Milo.
“Duhet t’i kujtojë Malit të Zi se shtetasit e Republikës së Shqipërisë janë kombësia e pestë më e madhe që viziton Malin e Zi; janë ata që frekuentojnë hotelet më në zë në vend dhe derdhin aty miliona euro. Shqiptarët e Shqipërisë janë një kombësi me minoritetin shqiptar të Malit të Zi, që ka qenë garant i Pavarësisë së atij vendi. Shqipëria ka qenë një vend mik që në momente delikate si më 1999 ka qenë e gatshme të përfshihej në operacione të posaçme për të ndihmuar liderët malazezë në rrezik. Por jo vetëm kaq. Shteti shqiptar ka detyrimin të mbrojë shtetasit e tij kudo që të jenë, çfarëdo që ata përfaqësojnë. Pergjegjësia ligjore është personale, por kujdesi i shtetit është detyrim kushtetues. Ne duhet t’jua bëjmë të qartë, çdo vendi dhe në çdo rrethanë, se shtetasit shqiptarë kanë mbrojtje dhe se këtë jua garanton pasaporta që mbajnë”, ka shkruar Fevziu.

