Federata Sindikale e RTK-së: Largimi i gazetares Arlinda Sejda, "alarm serioz" për presionet editoriale - NACIONALE

Federata Sindikale e RTK-së: Largimi i gazetares Arlinda Sejda, "alarm serioz" për presionet editoriale

1 orë më parë

nga NACIONALE

Federata Sindikale e Radio Televizionit të Kosovës ka shprehur keqardhje të thellë për largimin nga institucioni të gazetares Arlinda Sejda, pas dhjetë vitesh angazhim profesional në transmetuesin publik.

Sipas Federatës, deklarimi publik i një gazetareje me përvojë se po largohet pasi nuk mund ta ushtrojë më profesionin në përputhje me standardet, etikën dhe ndërgjegjen e saj, nuk është thjesht vendim personal, por tregues i një gjendjeje shqetësuese në ambientin profesional të RTK-së.

Federata thekson se prej kohësh ka ngritur shqetësime për ndërhyrje në proceset editoriale, presione ndaj gazetarëve e redaktorëve dhe tejkalim të kompetencave profesionale, duke vlerësuar se zhvillimet e fundit i kanë konfirmuar këto shqetësime.

Federata i ka bërë thirrje Bordit dhe menaxhmentit të RTK-së që të marrin masa konkrete për garantimin e pavarësisë editoriale dhe krijimin e një ambienti pune ku askush të mos detyrohet të zgjedhë mes vendit të punës dhe ndërgjegjes profesionale.

Organizata sindikale paralajmëroi se do të vazhdojë të mbrojë me mjete sindikale e ligjore të drejtat e punëtorëve dhe standardet profesionale të gazetarisë në RTK, duke e cilësuar largimin e gazetarëve me integritet si problem institucional që kërkon përgjegjësi dhe zgjidhje të menjëhershme.

Lajme të ngjashme