Falsifikuan dokumente për të përvetësuar mbi 1 milion euro, arrestohen tre persona
Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për falsifikim dokumentesh dhe mashtrim, pasi dyshohet se kanë tentuar të realizojnë në mënyrë të kundërligjshme shitblerje të tokave për të përfituar 1 milion e 550 mijë euro.
Sipas Policisë, tre të dyshuarit kanë falsifikuar dokumente të ndryshme, përfshirë pasaporta, letërnjoftime dhe certifikata, të cilat dyshohet se i kanë përdorur si dokumente të vërteta.
Pas intervistimit më 30 korrik, me vendim të prokurorit, dy të dyshuar janë ndaluar për 48 orë, ndërsa i treti është liruar në procedurë të rregullt. Hetimet për rastin po vazhdojnë.
“Të dyshuarit me dokumentet e falsifikuara kanë tentuar që në mënyrë të kundërligjshme të bëjnë shitblerje të tokave, me qëllim që të përfitojnë shumën prej 1 milion e 500 e 50 mijë euro, ku me këtë rast dyshohet se kanë kryer veprat penale ‘bashkëkryerja’, ‘ndihma’, ‘mashtrimi’ dhe ‘falsifikimi i dokumenteve’.
Tre të dyshuarit me 30 korrik 2026, janë intervistuar në cilësi të personave të dyshuar në prezencën e avokatëve mbrojtës dhe pas konsultës me prokurorin e rastit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, dy nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh, ndërsa njëri prej tyre me urdhër të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.