Evakuohet pacienti i parë nga Gaza përmes pikëkalimit në Rafah, hyn në Egjipt
I evakuuari i parë mjekësor nga Gaza ka hyrë në Egjipt pas rihpajes së pikëkalimit kufitar në Rafah të hënën.
Ky zhvillim përbën një hap kyç në armëpushimin mes Izraelit e Hamasit, por është kryesisht simbolik, pasi një numër i vogël palestinezësh do të lejohen që të kalojnë nëpër këtë pikë brenda 24 orëve. Qarkullimi i mallrave nuk do të lejohet, shkruan gazeta “The Guardian”.
Rreth 20 mijë fëmijë dhe të rritur palestinezë që kanë nevojë për trajtim mjekësor shpresojnë që të largohen nga Gaza e shkatërruar përmes këtij pikëkalimi, sipas zyrtarëve shëndetësorë të enklaës.
Mijëra palestinezë të tjerë jashtë Gazës shpresojnë të kthehen në shtëpitë e tyre atje. Pikëkalimi kishte qenë i mbyllur që nga maji i vitit 2024, kur trupat izraelite e kishin marrë nën kontroll atë.
Numri i udhëtarëve që do të lejohen për të kaluar nëpër pikëkalim pritet të rritet me kalimin e kohës, nëse sistemi tregohet i suksesshëm.
Izraeli ka thënë se ky shtet dhe Egjipti do t’i legjitimojnë njerëzit për hyrje dhe dalje.