Erëra të fuqishme në Poloni, pesë të vdekur nga rrëzimi i drurëve - NACIONALE

Erëra të fuqishme në Poloni, pesë të vdekur nga rrëzimi i drurëve

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Pesë persona janë mbytur nga rrëzimi i drurëve mbi ta, përderisa Polonia u përfshi nga erërat e fuqishme të hënën. Në pjesët më të larta të Maleve Tatra, shpejtësia e erës arriti deri në 155 kilometra në orë.

Në qytezën Rabka-Zdroj, dy gra dhe një fëmijë 6-vjeçar vdiqën, pasi një dru ra mbi ta, thanë zjarrfikësit, raporton gazeta “The Guardian”.

Një grua tjetër vdiq, kur një dru ra mbi veturën e saj në qytezën Zakopane, afër Maleve Tatra, tha një zëdhënës i zjarrfikësve lokalë. Një dru i rrëzuar la të vdekur një fëmijë në të njëjtën qytezë, sipas një zyrtari të ekipeve mjekësore.

Autoritetet lokale kanë lëshuar paralajmërim për erëra të rrezikshme me shpejtësi prej të paktën 100 kilometrash në orë dhe i kanë mbyllur udhët malore në parkun kombëtar të Tatras.

Zjarrfikësit ndërhynë 140 herë të hënën në mëngjes për të larguar drurë që kishin bllokuar rrugë dhe për t’i ndihmuar pronarët e shtëpive që kishin kulme të shkatërruara, raportuan mediat lokale.

Erërat e fuqishme erdhën pas tri ditëve me mot jashtëzakonisht të ngrohtë. Të shtunën, më 30 mars, temperatura arriti në nivel të ri rekord për muajin mars, duke shkuar në 26,4 gradë Celsius në qytezën jugore, Tarnow, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, PAP.

Lajme të ngjashme