Erdogani, Merzit: A nuk e sheh Gjermania “gjenocidin” izraelit në Gaza?
Presidenti i Turqisë, Rexhep Erogan, e kritikoi Gjermaninë për atë që tha se është shpërfillje e “gjenocidit” dhe sulmeve të Izraelit në Gaza. Ai i bëri këto komente në një konferencë të përbashkët për gazetarë të enjten në Ankara me kancelarin gjerman, Friedrich Merz.
Përplasja e hapur publike mes dy aleatëve të NATO-s doli në vizitën e parë të Merzit në Turqi që nga ardhja në pushtet, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Merzi tha se Qeveria e Gjermanisë i ka qëndruar pranë Izraelit që nga sulmi i 7 tetorit të vitit 2023 nga Hamasi dhe se ai beson se Izraeli ishte duke e ushtruar të drejtën e vet për vetëmbrojtje.
“Do të nevojitej vetëm një vendim për të shmangur viktima të panumërta të panevojshme. Hamasi do të duhej t’i lironte pengjet më herët dhe t’i ulte armët” – tha gjermani, duke shtuar se shpreson që lufta po i afrohet fundit me marrëveshjen e armëpushimit të ndërmjetësuar nga ShBA-ja e të përkrahur nga Turqia.
“Hamasi nuk ka bomba [ose] armë bërthamore, por Izraeli i ka të gjitha këto dhe i përdorë këto armë për ta goditur Gazën, për shembull me ato bomba përsëri mbrëmë” – tha Erdogani.
“A nuk i shihni ju, si Gjermani, këto? A nuk i ndiqni ju, si Gjermani, këto? Përpos goditjes së Gazës, [Izraeli] gjithmonë ka synuar që ta shtypë atë përmes urisë dhe gjenocidit” – shtoi presidenti turk.
Një hetim i OKB-së ka përcaktuar se Izraeli ka kryer gjenocid në Gaza, duke argumentuar se vrasjet, rrethimi dhe shkatërrimi janë kryer me qëllimin që të shkatërrohet jeta palestineze në enklavë. Disa grupe izraelite e ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë arritur në përfundimin e njëjtë.
Izraeli i hedh poshtë akuzat për gjenocid, duke thënë se ato janë të motivuara politikisht dhe se në shënjestër të fushatës ushtarake është Hamasi, e jo popullsia civile e Gazës. Autoritetet izraelite gjithashtu thonë se ndërmarrin masa për t’i minimizuar pasojat ndaj civilëve.
Merzi i ka kritikuar veprimet e Izraelit në Gaza dhe këtë vit Gjermania i pezulloi eksportet ushtarake në këtë vend, duke e përmendur si arsye përkeqësimin e situatës humanitare./Nacionale