Erdogan: Jam informuar që as ShBA-ja, as Rusia nuk do të përdorin armë bërthamore
Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, tha se është informuar pas bisedimeve ShBA – Rusi këtë javë në Ankara se asnjëra palë nuk do të përdorë armë bërthamore.
Gjatë kthimit nga samiti i Grupit G20 në Indonezi, presidenti turk tha se dy fuqitë botërore duhet të takohen shpesh në mënyrë që të parandalohet një luftë e re botërore, raporton agjencia “Reuters”.
Marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës janë më të ftohtat në dekadat e fundit që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë në shkurt të këtij viti. Kërcënimet nga presidenti rus, Vladimir Putin, për të përdorur armë bërthamore në Ukrainë, kanë shkaktuar shqetësim për eskalim të mundshëm të luftës.
Tensionet më të reja u shkaktuan të martën, kur në Poloni, anëtare e NATO-s, ra një raketë dhe la dy të vdekur. Sidoqoftë, ShBA-ja tha se raketa nuk është hedhur nga Rusia, por nga Ukraina dhe tensionet u ulën.