Epopeja e UÇK-së, Krasniqi: Familja Jashari nuk u përkul, por qëndroi e pathyeshme - NACIONALE

Epopeja e UÇK-së, Krasniqi: Familja Jashari nuk u përkul, por qëndroi e pathyeshme

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, për nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se 27 vjet më parë, në Prekazin e shenjtë, qëndresa u bë betim, flijimi u bë udhërrëfim, dhe familja Jashari u ngrit në përjetësi!

Krasniqi ka përkujtuar familjen Jashari, duke theksuar se një familje e tërë nuk u përkul, por qëndroi e pathyeshme.

Sërish vjen marsi dhe ne ndërrojmë mot – por vetëm ata nuk plaken kurrë!

27 vite më parë, më 5, 6 dhe 7 mars, në Prekazin e shenjtë, qëndresa u bë betim, flijimi u bë udhërrëfim, e familja Jashari u ngrit në përjetësi!

Nga nëna Zahide dhe baca Shaban, nga Hamza te Ademi, nga Kushtrimi te daja Osë – burra e gra, fëmijë e pleq, një familje e tërë nuk u përkul, por qëndroi e pathyeshme, duke i kënduar lirisë edhe në çastet e fundit. Ata e dinin dhe besonin: Liria nuk dhurohet dhe as nuk blihet – ajo fitohet me gjak dhe me sakrificë!” – ka shkruar Krasniqi.

Ai tutje ka thënë se pas 27 vitesh, emrat e tyre janë më të mëdhenj se koha, më të fuqishëm se çdo dhembje, më të shndritshëm se çdo yll.

“Sot, pas 27 vitesh, emrat e tyre janë më të mëdhenj se koha, më të fuqishëm se çdo dhembje, më të shndritshëm se çdo yll! Ata janë aty - të përjetshëm - në historinë tonë, në frymën e kësaj toke të lirë, në gjakun që rrjedh në damarët e çdo shqiptari!

Prekazi nuk është thjesht një vend - është altari i lirisë, themeli i shtetit, zemra e kombit! Sepse, siç ka thënë vetë komandanti legjendar: Shumë erëra kanë kaluar, por lisit rrënjët s’kanë mundur t’ia shkulin.

Kosova është ai lis i pamposhtur që vazhdon të rritet, të zgjerojë degët dhe të ngjitet në lartësi të reja - çdo ditë, çdo vit, deri në përjetësi!

Lavdi e përjetshme komandantit legjendar Adem Jashari!

Lavdi familjes heroike Jashari!

Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!”- ka përfunduar Krasniqi.

Lajme të ngjashme