Ende s'ka përfunduar ekspertiza financiare, anulohet seanca në rastin e "53 milionëshit"
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është anuluar seanca e së hënës në rigjykimin ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e njohur si “53-milionëshi”, që lidhet me autostradën “Arbën Xhaferi”, raportoi Betimi për Drejtësi.
Nga zyra e gjykatëses Violeta Namani-Hajra është konfirmuar se seanca nuk është mbajtur për shkak se ende nuk ka përfunduar ekspertiza financiare. “Seanca e radhës do të caktohet pas pranimit të ekspertizës”, kanë bërë të ditur nga gjykata.
Të akuzuarit, sipas Prokurorisë Speciale, dyshohen se në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrën zyrtare gjatë ndarjes së 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel & Enka”.
Ndërkohë, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama, ka refuzuar kërkesën e Eset Berishës për përjashtimin e kryetares së trupit gjykues.
Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim, pasi Themelorja më 31 janar 2024 kishte shpallur fajtorë të katër të akuzuarit dhe kishte shqiptuar dënime me burg.