Ende pa gjuhë të përbashkët pas takimit të Këshillit Ekonomik Social - NACIONALE

Ende pa gjuhë të përbashkët pas takimit të Këshillit Ekonomik Social

1 vit më parë

nga NACIONALE

Këshilli Ekonomik Social është mbledhur të premten në një tjetër përpjekje për të gjetur një zgjidhje për situatën e shkaktuar nga greva e përgjithshme në arsim dhe administratë. Megjithatë, ky takim nuk ishte i frytshëm në drejtim të gjetjes së një zgjidhjeje. Ata kërkuan një takim të dytë nga BSPK-ja, ndërsa përfaqësuesit e qeverisë nuk folën për media.

Rrahman Jasharaj, kryetar i Këshillit të Grevës, ka deklaruar se është vendosur që të mbahet një mbledhje tjetër për t'i gjetur zgjidhje këtij problemi, shkruan EkonomiaOnline.

“Ishte një takim i Këshillit Ekonomik Social, trepalësh, odat ekonomike, BSPK dhe përfaqësues të qeverisë. Biseduam gjerë e gjatë në përpjekje që këshilli ekonomik të krijojë rrugë që qeveria të ulet me BSPK. Debatuam për të gjitha çështjet dhe u munduam të gjejmë rrugë të përbashkët”, ka thënë ai.

“Fatkeqësisht këshilli nuk është ai që vendos, por që ne jemi optimist që nesër e pasnesër jemi të gatshëm të bisedojmë. Urojmë që qeveria të caktojë ekipin e vet. Cdo gjë është e hapur dhe uroj që qeveria nesër ose pasnesër qeveria të gjejë kohë dhe të arrijmë zgjidhje”, tha Jasharaj po ashtu.

Kurse kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, ka kërkuar një takim tjetër. Ai ka konfirmuar se takimi ka qenë herë pas here i tensionuar.

“Ne diskutuam për kërkesat tona përpjekjet janë të dyanshme po shpresoj që shumë shpejt ne do të dalim me lajme pozitive. Atmosfera ka qenë edhe tensionuese. Kemi sinjale na të dyja anët që mund të ecim përpara. Ishin përfaqësues të qeverisë, ministri Hekuran Murati dhe ajo e Arsimit, Arbërie Nagavci. Dialogimi i ka rrugë të vetme dhe momentalisht jemi në këtë situatë. Sa më shpejt që të jetë e mundur të mbahet takimi sonte ose nesër”, uka thënë Hykolli.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, ka deklaruar se AKB-ja ka propozuar që Qeveria e Kosovës të ndajë 50 euro deri në fund të vitit dhe punëtorët e sektorit publik të kthehen në punë.

“Roli i AKB-së në këtë takim ka qenë të rëndësishëm si ndërmjetësuese, dhe u kemi dhënë një propozim, i cili është dalë nga Aleanca Kosovare e Bizneseve, që punëtorët e sektorit publik të kthehen në punë, me kusht që Qeveria t’i jap nga 50 euro deri në fund të këtij viti. Fillimisht është kundërshtuar por që dalëngadalë e kemi shtjelluar në detaje. Ne besojmë se gjatë ditëve të ardhshme do të takohemi sërisht në mënyrë që të gjejmë një dakordim dhe punëtorët e sektorit publik të kemi një pagë më dinjitoze”, ka thënë Shahini.

Lajme të ngjashme