Emiratet e Bashkuara thonë se do t’i tërheqin forcat nga Jemeni pas sulmit nga Arabia Saudite - NACIONALE

Emiratet e Bashkuara thonë se do t’i tërheqin forcat nga Jemeni pas sulmit nga Arabia Saudite

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Emiratet e Bashkuara Arabe thanë të martën se do t’i tërheqin forcat e mbetura në Jemen, pasi Arabia Saudite e bombardoi qytetin bregdetar Mukalla, pas akuzave se dy anije nga Emiratet e Bashkuara u kishin dërguar armë dhe automjete luftarake forcave separatiste.

Arabia Saudite i akuzoi Emiratet e Bashkuara, aleat i ngushtë, për veprime “shumë të rrezikshme” në Jemen që e rrezikonin sigurinë kombëtare të saj. Riadi tha se kreu sulme ajrore “të kufizuara” ndaj qytetit Mukalla të martën në mëngjes dhe mbështeti një thirrje që Emiratet e Bashkuara t’i tërhiqnin forcat brenda 24 orëve, raporton televizioni CNN.

Emiratet e Bashkuara fillimisht i mohuan akuzat dhe u shprehën të befasuara me sulmin, por Ministria e Mbrojtjes më vonë njoftoi se, “për shkak të zhvillimeve të fundit”, në mënyrë vullnetare do t’i tërheqë njësitet “anti terrorizmit” që i ka ende në Jemen.

Autoritetet saudite nuk e komentuan menjëherë vendimin e vendit fqinj, pork y episode shënon një përshkallëzim të konsiderueshëm të raporteve mes Riadit dhe Abu-Dabit.

Deklarata e Arabisë Saudite ku u njoftua veprimi ushtarak u lëshua pak momente pas një fjalimi të kreut të Këshillit Presidencial të Jemenit, Rashad Al Olimi, i cili i akuzoi Emiratet e Bashkuara për “udhëzimin” e forcave për t’u “rebeluar kundër autoritetit shtetëror” dhe “për të përshkallëzuar ushtarakisht” në vend.

“Mbretëria [e Arabisë Saudite] thekson se çfarëdo kërcënimi ndaj sigurisë kombëtare të saj është vijë e kuqe dhe Mbretëria nuk do të ngurrojë që t’i ndërmarrë të gjithë hapat dhe masat e nevojshme për t’iu kundërvënë dhe për të neutralizuar një kërcënim të tillë” – thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Arabia Saudite tha se Emiratet e Bashkuara “po i bëjnë presion” Këshillit Kalimtar Jugor, forcë ushtarake e mbështetur nga Emiratet, për të kryer operacione në kufirin saudit, akuzë të cilën Abu-Dabi tha se “e dënon”.

Më herët këtë muaj, Këshilli Kalimtar Jugor nisi një ofensivë duke marrë nën kontroll provinca kyçe në Jemen – lëvizje që e zemëroi qeverinë jemenase që mbështetet nga sauditët, të cilët thanë se veprimi ushtarak e përçau betejën me forcat Houthi që mbështeten nga Irani./Nacionale

Lajme të ngjashme