Eman Rrahmani e kundërshton sërish Kurtin: U ngutët që i ulët pagat e gjyqtarëve e prokurorëve
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 109 që e mbajti përgjatë kësaj jave ka marrë vendim që t’i ulë pagat e gjyqtarëve e prokurorëve kosovarë.
E këtë vendim po e vlerëson të ngutshëm deputeti i Vetëvendosjes Eman Rrahmani.
Rrahmani i cili shpeshherë del në kundërshtim me vendimet e partisë së tij, tha se Kurti është dashur që të pres deri në miratimin e Ligjit për Pagat.
“Është vendim pak i ngutshëm për shkak se Ligji i Pagave është duke u rregulluar. Por aq sa kam pa, me Ligjin për Paga rritet paga në gjyqësor në përgjithësi”, tha Rrahmani në një përgjigje për Gazetën Sinjali.
Ndryshe, propozimin para kabinetit qeveritar e bëri kryeministri Albin Kurti, i cili tha pagat në sistemin e drejtësisë nuk kanë mundur të ulen për shkak se në Kushtetuese ka qenë trajtimi i ligjit të pagave.
I menjëhershëm ka qenë reagimi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), të cilët vendosën që të reduktohet puna në gjykata si dhe të pezullohet bashkëpunimi në çdo aktivitet që organizohet, apo ku janë të pranishëm përfaqësues të Qeverisë së Kosovës.
Këto vendime janë marrë në një mbledhje të jashtëzakonshme të mërkurën, ku kanë qenë prezentë edhe kryetarët e gjykatave.
Vendimet e KGJK-së kanë ardhur pak orë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për miratim të Projektligjit për pagat, që parasheh zvogëlimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve në nivelin e vitit 2017.
Ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës – për një ulje të tillë pagash – ka reaguar edhe shoqëria civile, duke thënë se ulja e pagave për sistemin e drejtësisë paraqet ndërhyrje në drejtësi dhe rrit potencialin për korrupsion, prandaj ka kërkuar anulimin e vendimit.