Elvis Hoxha rekomandon të lexohet ky shkrim për të kuptuar “tradhëtinë” e deputetes Kica
"Ideologu" i Lëvizjes Vetëvendosje, Elvis Hoxha, përmes një statusi në Facebook, rekomandon të lexohet një shkrim i një miku të tij nga Maqedonia e Veriut, për të kuptuar “tradhëtinë” që bëri deputetja Doarsa Kica – Xhelili me vendimin e sa për t’iu bashkuar LDK-në.
Shkrimi me të cilin pajtohet Hoxha, thotë se Doarsa Kica – Xhelili tregtoi me besimin edhe të shqipëtarëve nga Maqedonia e Veriut.
Shkrimi i plotë:
Për të kuptuar sesi mund të tradhtohet një votë mbarëshqiptare lexoni këtë reflektim të Bekim Qokut:
Doarsa Kica-Xhelili tjetërsoi dhe tregtoi jo vetëm votat e subjektit të saj politik, por para se gjithash besimin dhe mbështetjen që mori nga shqiptarët e M. së Veriut. Doarsa një numër të madh votash mori pikërisht nga shqiptarët me rrënjë nga M. e Veriut, dhe atë jo sepse atë e njihte kush, por sepse ajo garoi nën siglën e një koalicioni politik të shpresës.
Kandidatë për deputetë me origjinë nga M. e Veriut ishin disa në ato zgjedhje. Njëri nga ta ishte p.sh edhe Ruzhdi Matoshi që garoi për AAK, bile i ranguar bukur më mirë në listën përkatëse sesa znj. Kica-Xhelili. Z. Matoshi megjithëse anëtar kryesie i partisë së Ziadin Selës, Ziadini pa asnjë mëdyshje nxitoi për t’i dhënë mbështetjen Doarsës dhe jo anëtarit të kryesisë së partisë së tij. Edhe njëherë, jo sepse ishte Doarsa Kica-Xhelili, sepse ajo ishte një anonim politik, por sepse ishte në një listë që premtonte guxim e ndryshim. Doarsa tjetërsoi besimin dhe mbështetjen e gjithë shqiptarëve të M. së Veriut, shqiptarëve të Strugës, por edhe të Veleshtës, fshatit të origjinës së babait, që na kërkoi të përkrahim të bijën. Ajo mund të priste fundin e kësaj legjislature dhe pastaj të kalonte ku të donte. Jo kështu. Ky kalim ishte gabim dhe i dëmshëm jo vetëm për Kosovën që po kalon periudhë të vështirë politike dhe ekonomike.
Ky akt prej renegati është dhe do t’i mbetet Doarsës një damkë e përjetshme edhe për karrierën së saj. Ajo gjithmonë do të kujtohet dhe etiketohet si personi që tradhtoi jo vetëm subjektin e saj politik, por para se gjithash votuesit dhe mbështetësit. Kredibiliteti i saj politik vështirë se do të rivendoset më.