Ekstradohet nga Spanja në Kosovë Dukagjin Nikollaj, i njohur si “Duka” - NACIONALE

Ekstradohet nga Spanja në Kosovë Dukagjin Nikollaj, i njohur si “Duka”

1 orë më parë

nga NACIONALE

Një shtetas kosovar i kërkuar me letër rreshtim ndërkombëtar është ekstraduar nga Spanja në Kosovë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar më 6 gusht 2026 ekstradimin e të dyshuarit nga Spanja në Kosovë.

Burime të Gazetës Nacionale bëjnë të ditur se i ekstraduari është Dukagjin Nikollaj, i njohur me nofkën “Duka”.

Sipas Policisë, i dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet spanjolle pasi kërkohej përmes INTERPOL-it me letër rreshtim ndërkombëtar, të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë”.

Ekstradimi është realizuar në bazë të legjislacionit në fuqi dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe autoriteteve të Spanjës.

Pas mbërritjes në Kosovë, i dyshuari u është dorëzuar njësive përkatëse të Policisë së Kosovës në Rajonin e Prishtinës për vazhdimin e procedurave të mëtejshme ligjore.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet partnere dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale, si dhe gjurmimit, kapjes dhe arrestimit të personave e grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit.

Ndryshe, Emri i Dukagjin Nikollajt u rikthye në vëmendjen e opinionit publik në Kosovë, në gusht të vitit 2023, pas përleshjes me armë zjarri në lokalin e njohur në qendër të Prishtinës, “Bon Vivant”.

Lajme të ngjashme