Ekonomisti kritik ndaj pushtetit kërcënohet me “plumb pas koke” nga një komentues
Adem Qorolli, njohës i çështjeve të ekonomisë dhe kritik në rrafshe të politikave ekonomike ndaj pushtetit, ka pranuar kërcënim me jetë nga një komentues.
“Ruaje veten se mos po tekap ndonje plumb pas koke”, i shkruan atij një kërcënues me emrin Imer Nikqi.
Qorolli ftoi institucionet që këtë kërcënim ndaj jetës së tij ta trajtojnë me prioritet.
Postimi i plotë:
Sot, përmes rrjeteve sociale, kam marrë një kërcënim me jetë si pasojë e angazhimit tim publik si ekspert i ekonomisë dhe analizave të pavarura që publikoj rregullisht. Ky kërcënim është jo vetëm personal, por edhe një goditje e drejtpërdrejtë ndaj të drejtës për të folur lirshëm dhe për të kontribuar në mënyrë profesionale për vendin tonë.
Si profesionist i ekonomisë, përpiqem çdo ditë të jap kontributin tim për zhvillimin ekonomik të Kosovës, për përmirësimin e klimës së punësimit dhe për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për qytetarët tanë. Të gjitha analizat e mia janë të pavarura, të bazuara në fakte dhe qëllimi i vetëm i tyre është ndihma në orientimin e duhur të politikave zhvillimore dhe ekonomike.
Kërcënimet nuk më frikësojnë dhe nuk do të më ndalin. Përkundrazi, më motivojnë të vazhdoj me edhe më shumë përkushtim. Por, këto veprime janë të papranueshme dhe duhet të trajtohen seriozisht.
U bëj thirrje institucioneve përkatëse që ta marrin këtë çështje me prioritet dhe të sigurojnë mbrojtjen e çdo qytetari që shpreh lirshëm mendimin e tij. Po ashtu, inkurajoj qytetarët dhe komunitetin profesional të qëndrojnë të bashkuar kundër çdo forme presioni, frikësimi apo dhune.
Liria e fjalës dhe siguria personale janë themele të demokracisë sonë – nuk guxojmë të lejojmë që të cënohen.
Me respekt,
Adem Qorrolli
Ekspert i ekonomisë