Edward Joseph: Serbia shkeli zotimet e saj nga marrëveshja e Ohrit - NACIONALE

Edward Joseph: Serbia shkeli zotimet e saj nga marrëveshja e Ohrit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Profesori amerikan, Edward Joseph e ka vlerësuar një hap jashtëzakonisht pozitiv për Kosovën dhe qytetarët e saj miratimin e aplikimit të saj në Këshillin e Evropës.

Ai në një intervistë për magazinën “Lajmet e Fundit” në RTK, ka thënë se për herë të parë kemi parë se shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, nuk e kanë penguar atë, derisa Serbia me votën kundër ka shkel zotimet e Marrëveshjes së Ohrit.

“Shtetet si Greqia, Sllovakia dhe Ukraina, e cila ka një rol kyç nuk votuan asnjëra kundër Kosovës. Ato abstenuan dhe në këtë mënyrë nuk e kundërshtuan votën e Këshillit të Evropës, duke i mundësuar Kosovës që të ecë tutje dhe kjo është shumë me rëndësi. Është një hap pozitiv dhe shumë i madh i Kosovës drejt BE-së dhe NATO-s dhe me dobi praktike për qytetarët shqiptarë dhe serbë të Kosovës”, ka theksuar Joseph.

Profesori Joseph tutje ka thënë se Serbia me Marrëveshjen e Ohrit është dakorduar që të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat evropianë dhe rasti i votës kundër në Këshillin e Evropës paraqet shkelje të zotimeve të saj.

“Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell duhet të komunikojë drejtpërdrejt me Madridin zyrtar, Bukureshtin dhe Nikozinë dhe zyrtarisht t’ua komunikojë se Serbia e ka shkelur zotimin e saj për të mos e penguar Kosovën në anëtarësim në mekanizmat evropian”, ka shtuar profesori amerikan.

Lajme të ngjashme