Edi Rama jep lajmin: Samiti BE-Ballkani Perëndimor do të mbahet në Tiranë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se Samiti i Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor do të mbahet me 6 dhjetor në Tiranë.
Këtij vendimi i është gëzuar jashtëzakonisht shumë kryeministri Rama që ka thënë se nuk ishte imagjinuar më parë që liderët e BE-së të kryejnë punë në Tiranë, e të cilën do të mund ta kishin bërë në Bruksel.
“Për historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë kjo është një ngjarje absolutisht historike. Për Tiranën kjo është ngjarja më e madhe ndërkombëtare e historisë së saj.”, ka shkruar ai ndër të tjera në Facebook.
Shkrimi i Ramës:
Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, ka bërë publik vendimin e mirëseardhur për organizimin më 6 dhjetor, në Tiranë, të Samitit BE-Ballkani Perëndimor.
Nuk besoj se mund ta imagjinonte kush deri disa vite më parë, që tërë liderat e BE-së do të zbrisnin në Tiranë, për një punë që gjithnjë është bërë në Bruksel. Por sot Tirana nuk është më ajo e deri disa viteve më parë, po është kryeqyteti i një vendi të respektuar në politikën ndërkombëtare, si edhe një qytet i ri europian tërheqës për zhvillimin e tij mbresëlënës.
Për historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë kjo është një ngjarje absolutisht historike. Për Tiranën kjo është ngjarja më e madhe ndërkombëtare e historisë së saj. Për vitin 2022 që po shkon drejt përfundimit, kjo ngjarje është qershia mbi tortë pas kulmit të bukur të Finales së UEFA Conference League shtëpinë e kuqezinjve. Ndërsa për mua dhe qeverinë shqiptare, organizimi në Tiranë i një samiti të liderëve të Bashkimit Europian&Ballkanit Perëndimor është fruti më i bukur, i përpjekjes për afirmimin e Shqipërisë, si një zë i respektuar dhe anëtar dinjitoz i bashkësisë ndërkombëtare
