Edhe Haki Abazi kundër Kurtit për Byronë: Është e rrezikshme
Përveç kryeparlamentarit Glauk Konjufca, kundër vendimit të kryeministrit Albin Kurti për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë, ka dalur edhe deputeti Haki Abazi.
Abazi në një intervistë mbrëmë në televizionin T7 ka thënë se kjo ide është e rrezikshme, dhe mund të përdoret politikisht.
“Nëse më pyet pse kam dal prej votimit atëherë janë disa aspekte. Byroja në momentin të cilin jemi, mund të duket hap i domosdoshëm në kohën që jemi, por në anën tjetër nëse dikush tjetër vjen në pushtet mund ta përdorë atë për konfiskim të pasurive dhe do të ishte shumë e rrezikshme. Mendoj që rekomandimet e Komisionit të Venecias nuk do të duhej të mos përfshiheshin deri në momentin kur është vënë në diskutim”, ka thënë deputeti Abazi.
“Edhe tjetra është forma e debatit dhe forma se si udhëhiqet grupi parlamentar, një debat që i duhet, e që në të kaluarën është anashkaluar për shkak të vendimeve të një njeriu. Tash nuk duhet të ndodhë kjo çështje më. Krejt këto kanë ndikuar që unë të mos jem prezent në çështjen e votimit”, theksoi ai.
Ndryshe në votimin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë, ka abstenuar edhe deputetja Doarsa Kica-Xhelili.