Edhe dy anije me drithëra nisen nga Ukraina, numri shkon në 12 sipas marrëveshjes
Dy anije të tjera me drithëra u nisën të martën nga porti i qytetit Chornomorsk të Ukrainës, tha Ministria e Mbrojtjes e Turqisë, si pjesë e marrëveshjes për zhbllokimin e eksporteve detare ukrainase. Numri i përgjithshëm i anijeve të nisura sipas marrëveshjes shkoi në 12.
Anija “Luani i Oqeanit” u nis për në Korenë Jugore me mbi 64.000 tonë misër, ndërsa anija “Rahmi Yagci” u nis për në Stamboll me koncentrat luledielli, tha ministria turke.
Katër anije që u nisën nga Ukrainë të dielën, janë ankoruar afër Stambollit dhe do të inspektohen të martën, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes të Turqisë.
Rifillimi i eksportimit të drithërave po mbikëqyret nga Qendra për Bashkërendim të Përbashkët në Stamboll, ku po punon personeli i Ukrainës, Rusisë, Turqisë dhe Kombeve të Bashkuara.
Muajin e kaluar, Turqia dhe Kombet e Bashkuara ndërmjetësuan një marrëveshje mes Kievit dhe Moskës për rifillimin e eksportimit të drithërave pas paralajmërimeve se pengesat ndaj eksportit mund të çojnë në mungesë të madhe të ushqimit dhe uri në pjesë të ndryshme të botës.