Edhe Britania e Madhe paralajmëron shtetasit e saj për 16 shtatorin: Qëndroni larg turmave dhe demonstratave
Edhe Britania e Madhe u ka bërë thirrje shtetasve të saj në Kosovë që të tregojnë kujdes dhe të shmangin turmat e mëdha, një ditë para shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Qeveria britanike ka njoftuar se gjatë kësaj jave priten tubime të mëdha në Prishtinë dhe në qendra të tjera urbane, përfshirë edhe 16 shtatorin, ditën kur pritet të shpallet verdikti për ish-krerët e UÇK-së në Hagë.
Sipas autoriteteve britanike, këto tubime mund të shkaktojnë pengesa të ndryshme, veçanërisht në trafik dhe transportin publik.
“Gjatë javës së ardhshme, përfshirë datat 12 dhe 16 shtator, do të ketë tubime të mëdha në Prishtinë dhe në qendra të tjera urbane. Kjo mund të shkaktojë pengesa, përfshirë ndërprerje në trafik dhe në transportin publik. Informohuni rregullisht për zhvillimet lokale, planifikoni më shumë kohë për udhëtim dhe qëndroni larg turmave të mëdha apo demonstratave”, thuhet në këshillën britanike.
Paralajmërimi nga Britania e Madhe vjen pasi edhe Franca dhe Shtetet e Bashkuara kanë këshilluar shtetasit e tyre në Kosovë që të tregojnë kujdes lidhur me situatën e 16 shtatorit.
Në këtë datë, në Hagë pritet të shpallet aktgjykimi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.