E rrallë: Amerikani vdes pas kafshimit nga hardhuca Gila
Një burrë në Kolorado të Shteteve të Bashkuara ka vdekur, pasi ishte kafshuar nga hardhuca e llojit Gila, të cilën e mbante si kafshë shtëpiake. Kjo do të ishte vdekje e rrallë, nëse vërtetohet se shkaktari i vdekjes ka qenë helmi i këtij zvarraniku.
Christopher Ward, 34 vjeç, ishte dërguar në spital pak pasi ishte kafshuar nga njëra prej dy hardhucave që i mbante si kafshë shtëpiake më 12 shkurt. Atij së shpejti i ishin vendosur aparatet mbështetëse për jetë dhe vdiq të premten, tha të martën zëdhënësi i Departamentit të Policisë së Lakewood-it, John Romero, raporton agjencia “Associated Press”.
Mjekët ligjorë në distriktin Jefferson të martën refuzuan që ta komentonin vdekjen e këtij personi, përfshirë komentet nëse testet tregojnë që ai ka vdekur nga helmi i zvarranikut ose nga ndonjë problem tjetër shëndetësor.
E dashura e Ward-it ua dorëzoi dy hardhucat zyrtarit për kontrollin e kafshëve në Lakewood, Leesha Crookston dhe zyrtarëve të tjerë një ditë pas kafshimit.
Ajo i tha policisë se kishte dëgjuar që diçka “nuk tingëlloi mirë” dhe kishte hyrë në dhomë dhe e kishte parë hardhucën me emrin Winston të mbërthyer në dorën e të dashurit, sipas raportit të Crookston-it.
E dashura e viktimës u tha zyrtarëve se ai “menjëherë filloi të shfaqte simptoma, volli disa herë dhe në fund mbeti pa vetëdije dhe nuk merrte frymë”, sipas raportit.
Ward-i ishte vendosur në pajisje mbështetëse për jetën në spital. Pas disa ditëve, mjekët e kishin shpallur pacient me tru të vdekur.
Hardhuca Gila jeton kryesisht në Arizonë dhe Meksikë, në skajin jugor të Kalifornisë, në pjesën jugore të Nevadës dhe në pjesët jugperëndimore të Utah-s dhe New Mexico-s. Emri i saj vjen nga Lumi Gila, ku hardhucat janë të zakonshme.