E rrahu dikë pas mesnate, në rroba civile, duke i shkaktuar lëndime të rënda, IPK-ja arreston zyrtarin policor
Një zyrtar policor është arrestuar nga hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) nën dyshimin për “lëndim të rëndë trupor”, pas një incidenti të ndodhur pas mesnatës në rrugën “Dervish Qollaku” në Prishtinë.
Sipas njoftimit, rasti fillimisht ishte raportuar si rrahje në progres mes disa personave, ku dyshohej se ishte përfshirë edhe zyrtari policor, i cili ndodhej jashtë detyrës zyrtare dhe në rroba civile.
Pas ndërhyrjes në vendin e ngjarjes dhe zhvillimit të veprimeve hetimore, IPK ka arrestuar të dyshuarin, ndërsa me vendim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, atij i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Po ashtu, IPK ka rekomanduar suspendimin e përkohshëm të zyrtarit policor, me qëllim të garantimit të një procesi të paanshëm hetimor.
Hetimet për rastin janë duke vazhduar në koordinim me prokurorin përgjegjës, për të sqaruar plotësisht rrethanat e incidentit.