E rëndë: Gruaja dyshohet se u vra nga burri i saj në Prizren
Një grua 80-vjeçare është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e saj në Prizren, ndërsa Policia e Kosovës e ka konfrimuar për Gazetën Nacionale, se dyshon se është j vrarë nga bashkëshorti i saj duke përdorur forcën e duarve.
Rasti ka ndodhur më 26 gusht, rreth orës 01:30. Policia dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendngjarje, ku është konstatuar vdekja e viktimës.
Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes, hetuesit policorë, forenzika dhe ekspertët e mjekësisë ligjore kanë ngritur dyshimin për veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Sipas Policisë, lëndimet në trupin e viktimës dyshohet se janë shkaktuar me forcë duarthatë, pa përdorimin e armës apo ndonjë mjeti tjetër.
Bashkëshorti i viktimës, rreth 81 vjeç, është arrestuar dhe, pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë.
Trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për ekzaminim mjekoligjor.
Policia ka bërë të ditur se çifti nuk kishte raste të mëhershme të dhunës të raportuara dhe se në momentin e incidentit ndodheshin vetëm në shtëpi.
Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur motivin dhe rrethanat e plota të rastit.
“Më datë 26 gusht 2026, rreth orës 01:30, Policia e Kosovës ka pranuar informatën se në një shtëpi banimi në Prizren është gjetur pa shenja jete një femër 80 vjeçare (L.D.).
Në vendngjarje kanë dalë patrulla policore dhe ekipi i urgjencës mjekësore, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës. Në shtëpi është hasur edhe bashkëshorti i saj, i cili është shoqëruar në stacionin policor.
Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes nga hetuesit e policisë, forenzikës dhe ekspertët e mjekësisë ligjore, ka lindur dyshimi për veprën penale “Vrasje e rëndë”. Dyshohet se lëndimet e evidentuara në trupin e viktimës janë shkaktuar nga forca duarthatë, pa përdorim të ndonjë arme apo mjeti tjetër.
Trupi i pajetë është dërguar në IML Prishtinë për ekzaminim mjekoligjor, ndërsa i dyshuari, bashkëshorti i viktimës, rreth 81 vjeçar (B.D.), është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë.
Vlen të theksohet se, sipas evidencave të policisë, çifti nuk ka pasur raste të mëhershme të dhunës të raportuara dhe në momentin e incidentit kanë qenë vetëm në shtëpinë e tyre.
Hetimet janë në vazhdim për të përcaktuar motivin dhe rrethanat e plota të rastit.
Me respect,
Toger Shaqir Bytyqi
Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun
Drejtoria Rajonale e Policisë-Prizren”