Sondazh: E vogël, por vjet u tkurr edhe më shumë përkrahja e serbëve për udhëheqësinë e ShBA-së
Sipas një sondazhi të kompanisë amerikane të analizave, “Gallup”, përkrahja e serbëve për udhëheqësinë e ShBA-së shënoi rënie më 2023 në krahasim me vitin 2022.
Në listën e shteteve evropiane, Serbia është e parafundit dhe qëndron vetëm mbi Rusinë sa i përket përkrahjes së udhëheqësisë së ShBA-së nga të anketuarit.
Vetëm 10 për qind e serbëve e mbështetën udhëheqësinë e ShBA-së vitin e kaluar, sipas raportit të kompanisë amerikane. Kjo shifër përbën rënie prej 2 për qind në krahasim me vitin 2022.
Përqindja e serbëve që nuk e përkrahin udhëheqësinë e ShBA-së mbeti e njëjtë më 2023, si më 2022 – 69 për qind.
Në anketën e realizuar vitin e kaluar, 26 për qind e serbëve pjesëmarrës nuk ditën si të përgjigjeshin në këtë pyetje ose refuzuan që të jepnin përgjigje.
Serbia ka historikisht marrëdhënie të mira me Rusinë dhe shumica e serbëve kanë qëndrim negativ për ShBA-në, kryesisht për shkak të përkrahjes së Uashingtonit për Kosovën.