E pranon Hekuran Murati: Vitin e kaluar dhe këtë vit kemi pasur kriza vazhdimisht - NACIONALE

E pranon Hekuran Murati: Vitin e kaluar dhe këtë vit kemi pasur kriza vazhdimisht

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se gjatë vitit të kaluar dhe këtë vit, vendi është përballur vazhdimisht me kriza.

Në një konferencë për media para gazetarëve, Murati ka thënë se janë përballur me pandeminë, krizën me energjinë elektrike dhe rritjen e çmimeve, shkruan gazeta Nacionale.

“Nuk është se ka qenë e lehtë gjatë dy viteve të fundit, vitin e kaluar dhe këtë vit, meqenëse kemi pasur kriza në vazhdimësi, njëherë kishim pandeminë, tani energjinë elektrike si problem, dhe pas kësaj me luftën në Ukrainë, kemi edhe rritje të çmimeve”, ka thënë ai.

Këto deklarata, Murati i bëri derisa dha detaje për masën e re të Qeverisë, përmes së cilës po mendohet që të ndihmohen familjet që nuk kanë asnjë anëtarë të punësuar.

“Siç e thash, për bizneset, në mënyrë që të përfitojnë 70 për qind mbështetje të pagës bruto për të punësuarit që i punësojnë, një nga kriteret është se nuk mund të punësojnë më shumë se 30 për qind të stafit ekzistues, pra nëse një biznes i ka 10 punëtorë, mund t’i punësojë deri në 3 persona nga kjo masë. Kurse, për t’u regjistruar për këtë përfitim, duhet të regjistrohet në Agjencitë e Punës në Zyrat Rajonale dhe duhet të sjellin me vete raportin e punës, apo edhe të OJQ-së, kodin e leternjoftimit të pronarit, si dhe listën apo numrin e të punësuarëve që janë aktualisht të punësuar. Në anën tjetër, punëkërkuesit apo mbajtësit e familjes në këtë rast, duhet të jenë 18 deri në 64 vjeç, duhet të mos kenë asnjë anëtarë të punësuar të bashkësisë familjare, si dhe po ashtu të regjistrohen si të papunë në Zyrat Rajonale. Duhet të sjellin kopjen e leternjoftimit, apo diplomën ose çertifikatën e nivelit të edukimit, si dhe një CV që të tregojnë në pika të shkurta se në cilat fusha kanë aftësi për të punuar. Të gjitha këto, mund të bëhen që nga sot”, ka thënë ai./Nacionale.com/