“E papranueshme”: Qeveria e Izraelit do të mbajë mbledhje speciale pas sanksioneve nga Britania - NACIONALE

“E papranueshme”: Qeveria e Izraelit do të mbajë mbledhje speciale pas sanksioneve nga Britania

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, e quajti “mizor” vendimin e Britanisë për t’u vënë sanksione dy kolegëve të tij në Qeveri.

Kryediplomati izraelit tha se e ka diskutuar këtë çështje me kryeministrin Benjamin Netanyahu, raporton gazeta “The Times of Israel”.

“Ne do të mbajmë një takim special qeveritar në fillim të javës së ardhshme për të vendosur rreth kundërpërgjigjes sonë ndaj këtij vendimi të papranueshëm” – paralajmëroi ministri izraelit.

Sekretari i Jashtëm i Britanisë njoftoi të martën për vendosjen e sanksioneve kundër dy ministrave izraelit të së djathtës ekstreme, Itamar Ben Gvir dhe Bezalel Smotrich, për shkak të komenteve të tyre rreth Gazës.

Këtyre dy ministrave do t’u ndalohet hyrja në Britani dhe do t’u ngrihen asetet.

Si reagim, ministri Ben Gvir tha: “Ne i mbijetuam Faraonit, do t’i mbijetojmë edhe Keir Starmer-it (kryeministrit britanik).”

Ministri Smotrich e ka miratuar zgjerimin e vendbanimeve të kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor dhe ka bërë fushatë kundër ndihmave humanitare në Gaza, duke thënë muajin e kaluar se nuk do ta lejonte hyrjen “as edhe të një kokrre të grurit” në zonën e luftimeve.

Më 6 maj, ai tha se “Gaza do të shkatërrohet tërësisht, civilët do të dërgohen... në jug të një zone humanitare pa Hamasin ose terrorizmin dhe, nga atje, ata do të fillojnë që të largohen në numra të mëdhenj në vende të treta”.

Lajme të ngjashme