“E neveritshme”, Elez Blakaj reagon për debatet për drejtësi: Përfitojnë ata që nuk duan reforma
Ish-prokurori i Kosovës, Elez Blakaj, ka reaguar ndaj debateve të vazhdueshme që bëhen në Kuvendin e Kosovës e në media të ndryshme në emër të drejtësisë, duke thënë se “është e neveritshme të dëgjohet niveli i tyre”.
Përmes një postimi në Facebook, Blakaj u është drejtuar veçanërisht atyre që ai thotë se “dje shanin e organizonin konferenca për shtyp e vraponin pas debateve në televizone të ndryshme, e sot na shesin moral – hipokrita klasik!”
“E neveritshme të dëgjosh nivelin e debatit në Kuvendin e Republikes së Kosovës, studio televizive dhe media të ndryshme duke folur për drejtësi, me theks të veçantë ata të cilët dje shanin e organizonin konferenca për shtyp e vraponin pas debateve në televizone të ndryshme, e sot na shesin moral – hipokrita klasik!”- ka shkruar ai.
Ai tutje ka thënë se çdo qytetar, e në veçanti institucionet duhet të lajmerojnë çdo dyshim për vepra penale dhe të kenë bashkëpunim me organet kompetente, pavarësisht se për kë bëhet fjalë.
“Secili qytetar, në veçanti institucionet duhet ta lajmërojnë çdo dyshim për secilën veper penale dhe të bashkëpunojnë ngushtë me organet kompetente në të gjitha fazat e procedurës në interes të zbardhjes së rastit, pavarësisht kush është emri i përveçëm e/i të dyshuarit e poashtu sjelljes, motivit dhe performancës së zbehtë të organeve të drejtësisë!”
Duke shtuar se përfituesit më të mëdhenj të “rrëmujës” janë ata që nuk duan reforma në drejtësi, Blakaj është shprehur se “ata luten për më shumë tensione e përplasje”, sepse “kështu mbijetojnë”.
“Madje të gjithë këta përfitues, lutën vazhdimisht që të ketë sa më shumë debate, tensione, komente dhe përplasje të tilla sepse kështu mbijetojnë! Andaj, sa më pak që flitet dhe komentohet për “drejtësinë”, aq më shumë reforma do të kemi!”
Ish-prokurori e ka përfunduar postimin e tij me një këshillë për gazetarët hulumtues duke thënë se duhet të kërkohen informacione për mijëra lëndë të regjistruara penale, ndërsa ka shtuar se “është e frikshme si trajtohen dhe çfarë fshihet aty”.
Kujtojmë që Blakaj vite më parë ishte larguar nga Kosova pas debateve të shumta rreth aktakuzës për veteranët e rrejshëm të UÇK-së.

