E konfirmon Qeveria: Sot nuk ka takim mes Kurtit dhe Escobarit
Qeveria e Kosovës është deklaruar rreth vizitës së të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në Kosovë, i cili do të shoqërohet edhe nga emisari special i BE-së, Miroslav Lajçak.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, për T7 ka treguar se sot nuk do të ketë takim mes kryeministrit Albin Kurti dhe Escobarit.
Megjithatë këtë të marte, Escobar do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osamani. Krahas kësaj, Escobari do të ketë edhe një darkë pune me krerët e opozitës kosovare. Ai do të takohet me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe të parin e AAK-së, Ramush Haradinaj.
Kujtojmë që ShBA ka intensifikuar fokusin e saj rreth dialogut Kosovë-Serbi. Madje në një deklarim të zëdhënësit të DASH-it thuhet se sekretari amerikan, Anthony Blinken, është i gatshëm edhe të takohet ose të telefonojë palet nëse një gjë e tillë ndihmon në arritjen e marrëveshjes finale.