E çuditshme: Kryeministri britanik i thotë Kurtit se Britania e ka njohur e para Kosovën
Kryeministri i ri i Mbretërisë së Bashkuar, Andy Burnham, i ka kthyer një letër kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, në të cilën i ka thënë se vendi i tij do të punojë ngushtë me Kosovën për një të ardhme më të qëndrueshme dhe më me prosperitet për rajonin.
“Mbretëria e Bashkuar do të mbetet një mbështetëse e fuqishme e aspiratave euro-atlantike të Kosovës dhe ne do të vazhdojmë që të punojmë për ta avancuar integrimin e Kosovës në institucione ndërkombëtare, përfshirë mbështetjen në rritje për aplikimin e saj në Këshillin e Evropës dhe përparimin e vazhdueshëm në rrugën e saj drejt NATO-s” – thuhet në letrën e kryeministrit britanik.
Megjithatë, ai në fillim të letrës bën një pretendim që, të paktën sipas të dhënave të Ministrisë së Jashtme të Kosovës, nuk është i saktë.
“Unë jam krenar që Mbretëria e Bashkuar qëndroi pranë popullit të Kosovës që nga fillimi i ndërhyrjes së NATO-s më 1999 dhe që ne ishim vendi i parë që e njohëm pavarësinë e Kosovës” – shkroi Burnham.
Sipas të dhënave në uebfaqen e Ministrisë së Jashtme të Kosovës, shteti i parë që e ka njohur pavarësinë e Kosovës është Kosta-Rika, më 17 shkurt 2008, pikërisht në ditën e Shpalljes së Pavarësisë, ndërsa Mbretëria e Bashkuar, së bashku me Shtetet e Bashkuara, Francën, Shqipërinë, Turqinë dhe Afganistanin, Kosovën e kanë njohur një ditë më pas, më 18 shkurt 2008.