Dyshohet për viktima pas përmbytjes së një barke me emigrantë në Kanalin Anglez
Ka frikë se disa persona mund të kenë vdekur, pasi një barkë e vogël me emigrantë u ballafaqua me vështirësi në orët e hershme të së mërkurës në Kanalin Anglez, afër Kent-it.
Gazetari i televizionit BBC, Simon Jones, ka thënë se është marrë vesh që ka viktima, por autoritetet nuk i kanë konfirmuar ato, përcjell gazeta Nacionale.
Një operacion i madh i kërkim-shpëtimit ka filluar në ujërat britanike në temperatura të ulëta pas raportimeve për një incident rreth orës 4 e 40 minuta të mëngjesit.
Roja bregdetare britanike, forcat detare franceze dhe një helikopter i ambulancës janë përfshirë në ndihmën për operacionin e kërkimit.
Gjatë mbrëmjes së të martës, temperatura në Dover ra në 1 gradë. Ka gjasë që temperatura të ketë qenë më e ulët në sipërfaqen ujore. Autoritetet futën në fuqi një paralajmërim për akull në Kent gjatë asaj kohe.
Ministria e Mbrojtjes tha se është e vetëdijshme për incidentin dhe se agjencitë janë duke e përkrahur reagimin e bashkërenduar.