Dyshime të forta për spiunazh në Uzinën ushtarake në Shqipëri - NACIONALE

Dyshime të forta për spiunazh në Uzinën ushtarake në Shqipëri

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Disa agjenci sigurie në Shqipëri po hetojnë atë që ndodhi mbrëmë në ish-Fabrikën e Armëve në Gramsh, ku dy rusë dhe një ukrainas u ndaluan pasi njëri prej tyre tentoi të hynte në brendësi dhe u rezistoi ushtarëve që e ndaluan.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi tha sot se ka të dhëna për dyshime për spiunazh, ndërsa theksoi se çështja do të vlerësohet nga hetimet. Më tej u bë e ditur se katër shtetas çekë, janë ndaluar pasi dy prej tyre kishin hyrë në një nga tunelet e ish uzinës ushtarake të Poliçanit.

Nuk dihet ende, rreth 24 orë më vonë, se çfarë kërkonin tre shtetasit rusë dhe ukrainas të ndaluar mbrëmë nga zyrtarët shqiptarë në kompleksin e armëve të vjetra në Gramsh. Ka arsye për të dyshuar për spiunazh, sipas ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi. “Kemi shumë të drejtë të dyshojmë. Çdo shtetas i huaj që futet në një zonë ushtarake dhe për më tepër kapet duke fotografuar, dyshohet për spiunazh”, informoi ai shtypin, shkruan VOA.

Në përputhje me nenin 214 të Kodit Penal, ku thuhet se “Sigurimi i informatave sekrete me karakter ushtarak apo të çdo lloji tjetër, me qëllim që t’i jepen një fuqie të huaj, për të cënuar pavarësinë e vendit, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet”, Spiunazhi është një nga pistat që po ndiqet aktualisht. Prokuroria ka regjistruar ndër të tjera çështjen penale.

Ministrit Peleshi, u shpreh se ngjarja nuk mund të trajtohet si një incident i rëndomtë, për më tepër që 24 vjeçari rus, Mikhail Zorin, i cili kishte hyrë në mjediset e ish Uzinës, jo vetëm kishte bërë rezistencë ndaj ndalimit të tij, por dhe përdori spray paralizues ndaj dy ushtarakëve. “E vendosur edhe në kontekstin e gjërë rajonal edhe në kontekstin politik duhet vlerësuar dhe nuk mund të kalojë si një incident i zakonshëm civil. Por ne nuk mund të nxitohemi të nxjerrim konkluzione. Gjithsesi fakti që është reaguar dhunshëm nga këta shtetas të huaj na bën të jemi më të vëmendshëm për ta hetuar deri në fund”, ka thënë ministri.

Lajme të ngjashme