Dy të vdekur e 15 të zhdukur pas vërshimeve në Kanionin e Madh të ShBA-së
Viktima e dytë u konfirmua nga Shërbimi i Parqeve Kombëtare të hënën, pas vërshimeve në Kanionin e Madh në Arizonë të Shteteve të Bashkuara në fundjavë.
Dhjetëra vizitorë u desh të evakuoheshin me helikopter gjatë vërshimeve. 15 njerëz janë ende të zhdukur, ndërsa parashikohen reshje shiu e stuhi të reja, raporton gazeta “The Guardian”.
Zyrtarët e parqeve i kanë bërë thirrje publikut që të ofrojë çfarëdo informate rreth personave që mund të kenë qenë duke bërë alpinizëm në pjesën e brendshme të kanionit, ose për persona që kanë bërë rezervime në atë zonë.
Vërshimet nuk janë të pazakonshme në këtë rajon, sidomos gjatë periudhës së reshjeve, nga qershori deri në shtator, kur shiu i furishëm e godet peizazhin e thatë dhe mund t’i mbushë shpejt zonat gurore. Vizitat te Kanioni i Madh mund të jenë veçanërisht të rrezikshme gjatë verës për shkak të rrezikut nga vërshimet në periudhën e reshjeve.
Trupi i një burri 46-vjeçar u gjet të dielën në mbrëmje përgjatë Lumit Kolorado, tha Shërbimi Kombëtar i Parqeve, pa ofruar hollësi shtesë. Të paktën një trup tjetër ishte tërhequr, sipas një njoftimi nga parku kombëtar “Kanioni i Madh”.