Durmishi: Reshjet dhe vërshimet kanë vështirësuar qarkullimin në disa segmente rrugore
Ministri në detyrë i Mjedisit dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka informuar për gjendjen e rrugëve në vend pas reshjeve të dendura të shiut dhe vërshimeve që kanë ndodhur ditëve të fundit.
Sipas tij, reshjet e shiut dhe borës kanë shkaktuar grumbullim uji dhe rrëshqitje dheu në disa segmente rrugore, duke vështirësuar qarkullimin. Ai ka bërë të ditur se institucionet përgjegjëse kanë reaguar menjëherë me të gjitha kapacitetet në dispozicion për të larguar pengesat dhe për të mundësuar zhvillimin sa më normal të trafikut.
“Reshjet e shiut dhe borës kanë shkaktuar grumbullim uji dhe rrëshqitje dheu në disa segmente rrugore. Ne kemi reaguar me të gjitha kapacitetet për të eliminuar çdo pengesë, me qëllim që qarkullimi të zhvillohet sa më normalisht”, ka shkruar Durmishi në Facebook.
“Në rrugën Prishtinë – Ferizaj, ende kemi bllokim si pasojë e sasisë së madhe të ujit të grumbulluar në rrugë, e shkaktuar nga kyçjet ilegale në kanalet e ujërave atmosferike”.
“Pas reshjeve të shiut kanë filluar reshjet e borës dhe temperaturat gjatë natës pritet të jenë nën zero, çka mund të shkaktojë ngrica në rrugë”.
Durmishi tha se janë angazhuar që t’i pastrojnë të gjitha rrugët të cilat i kanë për detyrë.
“Ekipet tona janë të angazhuara në pastrimin e të gjitha rrugëve që janë në kompetencën tonë”.
“Po ashtu, shprehim gatishmëri të plotë për të ndihmuar edhe institucionet lokale, kudo që paraqitet nevoja”.
“Nga qytetarët kërkojmë të vozisin me kujdes të shtuar dhe t’i përshtaten kushteve të rrugës”.