“Dua të njihem si doktor, jo si terrorist”, i akuzuari pendohet para gjykatës
I akuzuari për shtytje në terrorizëm, Liridon Beqiri tha se të ardhmen e tij e sheh si doktor-fizioterapeut dhe ashtu dëshiron të njihet e jo si terrorist apo i akuzuar për terrorizëm.
Beqiri në seancën e të hënës e kishte pranuar fajësinë lidhur me veprat penale “Shtytje në terrorizëm” dhe armëmbajtje pa leje, andaj ndaj tij është veçuar procedura, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“E kisha lut Gjykatën me marrë parasysh unë ardhmen tem unë e shoh si një doktor, si një fizioterapeut dhe kiropraktikë, ashtu kom qejf m’u njoftë edhe emni jem dhe jo si një terrorist ose i akuzum për terrorizëm”, tha i akuzuari Beqiri.
Këtë deklarim, ai e bëri të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën ku palët paraqesin rrethanat qoftë rënduese apo lehtësuse të cilat ndikojnë në llojin apo lartësinë e caktimit të dënimit.
Sipas Beqirit, në kohën kur kishte ndodhur vepra penale nuk e kishte ditur peshën që nga një fotografi me armë do të akuzohej për terrorizëm. Ai tha se është penduar dhe kërkoi nga gjykata që ndaj tij të shqiptojë dënim më të ulët.
I akuzuari Beqiri po ashtu tha se ai nuk duhej të merrej shembull për veprimet e bëra.
“E them publikisht edhe për popullin edhe për rininë time…. mos me bo çka kam bo unë se i pret një e ardhme, mos me marrë si shembull, shembullin tem se i pret një e ardhme që te evladë e tyne ka me ndiku si qysh ka me u ndiku edhe te unë që kanë me u quajt…kanë m’u bullizu që baba yt u kanë terrorist apo i akuzum për terrorizëm”, tha i akuzuari Beqiri.