Dorëheqje tjetër nga Guxo pas Haxhi Avdylit, largohet një anëtar kryesie
Kujtim Hajdaj, anëtar i Kryesisë Qendrore të Partisë GUXO, ka njoftuar pezullimin e aktivitetit të tij politik brenda kësaj partie për një kohë të pacaktuar.
Vendimi vjen në një periudhë tensionesh dhe zhvillimesh të fundit brenda subjektit politik që drejtohet nga Donika Gërvalla.
Përmes një reagimi publik, Hajdaj bëri të ditur se vendimi lidhet edhe me mbështetjen që ai i ka dhënë publikisht presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Ai tha se në vendimin e tij kanë ndikuar edhe disa rrethana të krijuara në raport me udhëheqjen e partisë.
“Duke qenë se kam dalë publikisht në mbështetje të Vjosa Osmanit për presidente dhe duke u bazuar në disa rrethana që janë krijuar në raport me udhëheqjen e partisë, kam vendosur të pushoj aktivitetin tim politik në kuadër të Partisë GUXO”, ka shkruar Hajdaj.
Ai shtoi se për momentin nuk dëshiron të komentojë më tej arsyet që çuan në këtë vendim.