Doracaket për edukim seksual, Ramosaj: Një tjetër dështim i Qeverisë Kurti
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për doracaket e edukimit seksual, të cilët sot MASHTI i ka tërhequr nga përdorimi.
Ai ka vlerësuar se vendosja e një doracaku për edukim seksual në shkolla, pa konsultim të gjerë me prindërit është një deshimt tjetër i Qeverisë Kurti.
Në profilin e tij në “Facebook”, Ramosaj ka shkruar se doracaku i hartuar nga MASHTI është i papranueshëm dhe nuk mund të lejohet të përdoret në shkolla.
“Edukimi i fëmijëve tanë është një detyrë delikate, që kërkon respekt për vlerat kulturore, morale dhe familjare të shoqërisë sonë. Vendosja e një doracaku për edukim seksual në shkolla, pa konsultim të gjerë me prindërit dhe pa respekt për vlerat e shoqërisë sonë, është një tjetër dështim i Qeverisë. Ky akt tregon një shkëputje të plotë nga realitetet dhe nevojat e vërteta të nxënësve, si dhe nga shqetësimet e familjeve. Edukimi seksual nuk duhet të jetë një burim konfuzioni për fëmijët, por një ndihmë për zhvillimin e tyre të shëndetshëm fizik, emocional dhe moral, në bashkëpunim të ngushtë me familjet. Doracaku i hartuar nga Ministria e Arsimit për edukimin seksual, është i papranueshëm dhe nuk mund të lejohet të përdoret në shkolla. Fëmijët tanë meritojnë një sistem arsimor që respekton vlerat dhe nevojat e tyre, jo një sistem që imponon ideologji të diskutueshme”, ka shkruar Ramosaj.