Donika Gërvalla pasi mori detyrën e ministres së Drejtësisë: Askush mbi ligjin
Donika Gërvalla e ka pranuar detyrën e ministres së Drejtësisë duke e vlerësuar rolin e kësaj ministrie në raport me ligjin dhe drejtësinë.
“Gjatë ditës së djeshme, nga ish-U.D. i Ministrit të Drejtësisë, z. Blerim Sallahu, pranova detyrën e Ministres së Drejtësisë, e vetëdijshme për rolin vendimtar që ky dikaster, si strukturë kyçe e shtetit, luan në konsolidimin e tij dhe përkushtimin e palëkundur për të krijuar institucione të forta, ligj të zbatueshëm dhe drejtësi të barabartë për të gjithë”, shkroi Gërvalla në Facebook.
“Drejtësia është gurthemeli i Republikës sonë. Reformat në drejtësi janë dëshmi e vendosmërisë tonë për të ndërtuar një shtet ku ligji nuk negocion, ku përgjegjësia nuk shmanget dhe ku drejtësia nuk njeh emër, pozitë apo ndikim”.
“Kjo është beteja jonë për drejtësi, dinjitet institucional dhe besimin e qytetarëve”.
“Askush nuk guxon të jetë mbi ligjin! Ky është parimi që udhëheq kauzën tonë dhe garancia se Republika e Kosovës do të qëndrojë gjithmonë edhe më e fortë, edhe më e drejtë dhe edhe më krenare për secilin qytetar të Kosovës. Na priftë e mbara!”, tha ajo.