DnV: Mangësi serioze në numërimin e votave preferenciale, kërkohet rinumërim i plotë
Misioni vendor për vëzhgimin e zgjedhjeve, Demokracia në Veprim (DnV), ka vlerësuar se gjetjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga verifikimi i 2% të vendvotimeve për votat e kandidatëve zbulojnë mangësi serioze në procesin e numërimit. Sipas DnV-së, këto mangësi cenojnë besueshmërinë dhe integritetin e rezultateve zgjedhore.
Në reagimin e tyre, DnV thekson se edhe pse rezultati për subjektet politike nuk po kontestohet, saktësia e numërimit të votave preferenciale për kandidatët mbetet vendimtare. “Saktësia e numërimit të votave preferenciale për kandidatë është element thelbësor i vullnetit të votuesve dhe pjesë përbërëse e rezultatit zgjedhor”, thuhet në komunikatë.
Organizata vëzhguese konsideron se dallimet e konstatuara në votat e kandidatëve, të evidentuara vetëm nga 2% e mostrës së vendvotimeve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit, tregojnë për probleme serioze strukturore. “Këto mospërputhje përjashtojnë mundësinë që të jenë pasojë e gabimeve të izoluara njerëzore”, vlerëson misioni.
DnV ka komentuar edhe vendimin e sotëm të KQZ-së për rinumërimin e 10% të vendvotimeve në nivel vendi dhe 100% të vendvotimeve në dhjetë komuna – Prizren, Ferizaj, Skenderaj, Shtime, Vushtrri, Dragash, Mamushë, Kaçanik, Leposaviq dhe Ranillug – që përbëjnë rreth 36% të totalit të vendvotimeve në Kosovë. Sipas tyre, ky hap nuk është i mjaftueshëm. “Rinumërimi i vetëm një të tretës së vendvotimeve mund të prodhojë ankesa dhe kërkesa të reja për rinumërim të vendvotimeve të tjera, duke e vonuar edhe më tutje procesin”, thuhet në komunikatë.
Për këtë arsye, Demokracia në Veprim rekomandon rinumërim të plotë të votave të kandidatëve në të gjithë vendin, në mënyrë që të garantohet kredibiliteti i procesit dhe të rritet besimi i publikut në rezultatet zgjedhore. Po ashtu, organizata kërkon nga organet e drejtësisë që të nisin hetime për të gjitha rastet ku ekzistojnë dyshime për keqpërdorim të procesit të numërimit.
Në fund, DnV thekson se prioriteti kryesor nuk duhet të jetë shpejtësia e shpalljes së rezultateve, por garantimi i një procesi të saktë dhe të drejtë. “Qëllimi kryesor nuk duhet të jetë përshpejtimi i shpalljes së rezultateve, por sigurimi që çdo votë e qytetarit të numërohet saktë dhe të reflektohet drejt në përbërjen e institucioneve të ardhshme”, thuhet në komunikatën e tyre.