DnV kërkon përmbylljen urgjente të emërimit të anëtarëve të rinj të KQZ-së - NACIONALE

DnV kërkon përmbylljen urgjente të emërimit të anëtarëve të rinj të KQZ-së

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Organizata Demokracia në Veprim (DnV) ka kërkuar që procedura për emërimin e përbërjes së re të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të përmbyllet pa vonesë.

Sipas DnV-së, ky hap është veçanërisht i rëndësishëm në këtë periudhë, kur vendi po përballet me zhvillime që mund të çojnë drejt një procesi të ri zgjedhor. Afati ligjor për përmbylljen e procedurës, më 11 mars, po afrohet, gjë që e bën më urgjente finalizimin e emërimit të anëtarëve të rinj të KQZ-së.

Organizata thekson se legjislacioni aktual nuk parashikon më vazhdimin automatik të mandatit të përbërjes ekzistuese të KQZ-së deri në emërimin e të resë, siç ishte e rregulluar më parë.

Për këtë arsye, DnV i bën thirrje Presidentes së Kosovës dhe subjekteve parlamentare të ndërmarrin pa vonesë hapat e nevojshëm për nominimin dhe emërimin e anëtarëve të rinj të KQZ-së.

“Çdo proces zgjedhor duhet të zhvillohet me institucione zgjedhore të konsoliduara, funksionale dhe me mandat të qartë ligjor, në mënyrë që administrimi i zgjedhjeve të mos shoqërohet me dilema për legjitimitetin e tij,” theksohet në njoftim.

Lajme të ngjashme