Dje u ndalua nga Policia, predikuesi islamik nga Bosnja pritet të dëbohet nga Kosova
Predikuesi islamik nga Bosnje e Hercegovina, Elvedin Peziq, pritet të dëbohet gjatë ditës nga Kosova, pasi një ditë më parë ishte shoqëruar nga Policia e Kosovës para një aktiviteti në Vitomiricë të Pejës.
Lajmin për Radion Evropa e Lirë e ka bërë të ditur një burim i informuar për organizimin dhe qëndrimin e Peziqit në Kosovë.
Predikuesi islam nga Bosnjë e Hercegovina, Elvedin Peziq, i cili të enjten është shoqëruar nga Policia e Kosovës për intervistim informues, është figurë e njohur për ligjëratat dhe qëndrimet e tij kontroverse në rajon.
Peziq, është bërë i njohur për ligjërata fetare të kritikuara për nxitje të urrejtjes, si dhe për deklarata kontroverse. Ndër to është edhe deklarata se “shoqëria perëndimore u rrënua moralisht” kur, sipas tij, “gruaja doli nga shtëpia”.